1Unë po shikoja dhe ja, mbi kupën qiellore që ishte mbi kryet e kerubinëve, dukej mbi ta një si gur safiri që i përngjante nga forma një froni. 2Zoti i foli pastaj njeriut të veshur me rroba liri dhe i tha: "Shko midis rrotave poshtë kerubinit, mbushi duart me qymyr të ndezur që është midis kerubinëve dhe përhapi mbi qytetin". Dhe ai shkoi, ndërsa unë shikoja. 3Kur hyri ai njeri, kerubinët rrinin në të djathtë të tempullit dhe reja mbushte oborrin e brendshëm. 4Pastaj lavdia e Zotit u ngrit mbi kerubinin duke lëvizur drejt pragut të tempullit; atëherë tempulli u mbush me renë dhe oborri u mbush me shkëlqimin e lavdisë të Zotit. 5Zhurma e krahëve të kerubinëve u dëgjua deri në oborrin e jashtëm, ashtu si zëri i Perëndisë të plotfuqishëm kur flet. 6Kur Zoti e urdhëroi njeriun e veshur me rroba liri, duke thënë: "Merr zjarrin midis rrotave që ndodhen ndër kerubinë", ai shkoi të ndalet pranë një rrote. 7Atëherë një kerubin shtriu dorën midis kerubinëve drejt zjarrit që ishte mes tyre, e mori dhe e vuri në duart e njeriut të veshur me rroba liri, që e pranoi dhe doli. 8Kerubinët dukeshin sikur kishin formën e dorës së njeriut poshtë krahëve. 9Shikova akoma dhe ja, në krah të kerubinëve kishte katër rrota, një rrotë përbri çdo kerubini dhe një rrotë tjetër për çdo kerubin tjetër; rrotat kishin pamjen e një guri të topazit. 10Dukej sikur që të katra kishin po atë formë, sikur një rrotë të ishte në mes të tjetrës. 11Kur lëviznin, shkonin nga një prej katër drejtimeve të tyre dhe, duke shkuar, nuk silleshin, por ndiqnin drejtimin që kishte marrë koka e tyre dhe, duke shkuar, nuk silleshin. 12Tërë trupi i tyre, kurrizi i tyre, duart e tyre, krahët e tyre ishin plot me sy rreth e qark, po, edhe vetë rrotat që kishin të katër. 13Unë dëgjova që rrotat quheshin "Turbina". 14Çdo kerubin kishte katër fytyra; fytyra e parë ishte fytyra e kerubinit, fytyra e dytë ishte fytyra e njeriut, fytyra e tretë fytyra e luanit dhe fytyra e katërt ajo e shqiponjës. 15Pastaj kerubinët u ngritën. Ata ishin po ato qenie të gjalla që kisha parë pranë lumit Kebar. 16Kur kerubinët lëviznin, edhe rrotat lëviznin nga ana e tyre; dhe kur kerubinët hapnin fletët për t'u ngritur nga toka, rrotat nuk largoheshin nga krahu i tyre. 17Kur ata ndaleshin, ndaleshin edhe ato; kur ata ngriheshin, ngriheshin edhe ato bashkë me ta, sepse fryma e qënieve të gjalla ishte ndër ta. 18Lavdia e Zotit u largua pastaj nga pragu i tempullit dhe u ndal te kerubinët. 19Pastaj kerubinët i hapën krahët e tyre dhe u ngritën nga toka para syve të mi; ndërsa po largoheshin edhe rrotat ishin pranë tyre. U ndalën pastaj te hyrja e portës që shikonte nga lindja e shtëpisë të Zotit, ndërsa lavdia e Perëndisë të Izraelit qëndronte lart mbi ta. 20Ishin po ato qenie të gjalla që kisha parë nën Perëndinë e Izraelit pranë lumit Kebar dhe njoha që ishin kerubinë. 21Secili prej tyre kishte katër fytyra, secili katër krahë dhe poshtë krahëve të tyre dilte forma e dorës së njeriut. 22Sa për pamjen e fytyrave të tyre, ishin po ato fytyra që kisha parë pranë lumit Kebar; ishin po ato shëmbëlltyra dhe po ata kerubinë. Secili shkonte drejt para tij.