1Atëherë Jozefi u hodh mbi fytyrën e të atit, qau mbi të dhe e puthi. 2Pastaj Jozefi urdhëroi mjekët që ishin në shërbim të tij të balsamosnin të atin; dhe mjekët e balsamosën Izraelin. 3U deshën dyzet ditë, sepse e tillë ishte koha e nevojshme për balsamimin; dhe Egjiptasit e qanë shtatëdhjetë ditë. 4Kur kaluan ditët e zisë të mbajtura për të, Jozefi foli në shtëpinë e Faraonit duke thënë: "Në qoftë se kam gjetur hirin tuaj, i thoni Faraonit këto fjalë: 5Ati im më ka vënë të betohem dhe më ka thënë: "Ja, unë jam duke vdekur; më varros në varrin që kam gërmuar në vendin e Kanaanit". Tani, pra, më lejo të ngjitem për të varrosur atin tim, pastaj do të kthehem". 6Faraoni u përgjegj: "Ngjitu dhe varrose atin tënd ashtu si të ka vënë të betohesh". 7Atëherë Jozefi u ngjit për të varrosur të atin; dhe me të u ngjitën tërë shërbëtorët e Faraonit, të moshuarit e shtëpisë së tij dhe tërë të moshuarit e vendit të Egjiptit, 8dhe tërë shtëpia e Jozefit, vëllezërit e tij dhe shtëpia e të atit. Në vendin e Goshenit lanë vetëm fëmijët e tyre të vegjël, kopetë me bagëtinë e imët dhe me bagëtinë e trashë. 9Me të u ngjitën lart gjithashtu qerre dhe kalorës, aq sa u formua një vargan i madh njerëzish. 10Me të arritur në lëmin e Atadit, që është përtej Jordanit, u dëgjuan vajtime të mëdha dhe solemne; dhe Jozefi mbajti shtatë ditë zi për të atin. 11Kur banorët e vendit, Kananejtë, panë zinë në lëmin e Atadit, thanë: "Kjo është një zi e madhe për Egjiptasit!". Prandaj ai vend u quajt Abel-Mitsraim dhe ndodhet përtej Jordanit. 12Bijtë e tij bënë për të atë që ai i kishte urdhëruar. 13Bijtë e tij e bartën në vendin e Kanaanit dhe e varrosën në shpellën e fushës së Malkpelahut, përballë Mamres, që Abrahami e kishte blerë bashkë me arën nga Efron Hiteu, si vendvarrim, pronë e tij. 14Mbasi varrosi të atin, Jozefi u kthye në Egjipt bashkë me vëllezërit e tij dhe me të gjithë ata që ishin ngjitur deri atje për të varrosur atin e tij. 15Vëllezërit e Jozefit kur panë se ati i tyre vdiq, thanë: "Mos vallë Jozefi na mban inat dhe merr hak për tërë të keqen që i kemi bërë?". 16Atëherë i çuan fjalë Jozefit: "Ati yt para se të vdiste dha këtë porosi duke thënë: 17"Kështu do t'i thoni Jozefit: "Falu vëllezërve të tu të keqen që të kanë bërë, mëkatin e tyre, sepse të kanë bërë keq". Falu, pra, tani krimin shërbëtorëve të Perëndisë të atit tënd". Jozefi qau kur i folën kështu. 18Pastaj erdhën edhe vëllezërit e tij dhe u shtrinë para tij, dhe i thanë: "Ja, ne jemi shërbëtorët e tu". 19Jozefi u tha atyre: "Mos u trembni, se mos jam unë në vend të Perëndisë?. 20Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t'i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë. 21Tani, pra, mos kini frikë; unë do të siguroj ushqimin për ju dhe për bijtë tuaj". Kështu u dha zemër dhe i foli zemrës së tyre me ëmbëlsi. 22Kështu Jozefi banoi në Egjipt, ai dhe shtëpia e të atit, dhe jetoi njëqind e dhjetë vjet. 23Jozefi pa bijtë e Efraimit deri në brezninë e tretë; edhe bijtë e Makirit, bir i Manasit, lindën mbi gjunjët e tij. 24Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Unë po vdes; por Perëndia do t'ju vizitojë me siguri dhe do t'ju çojë me siguri nga ky vend në vendin që i premtoi me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit". 25Pastaj Jozefi i vuri të betohen bijtë e Izraelit, duke thënë: "Perëndia me siguri do t'ju vizitojë; atëherë ju do t'i hiqni kockat e mia që këtej". 26Pastaj Jozefi vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç; e balsamosën dhe e futën në një arkivol në Egjipt.