1Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri, duke sjellë erërat e mira që kishin përgatitur. 2Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri. 3Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus. 4Dhe, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme. 5Dhe, mbasi ato, të tmerruara, e mbanin fytyrën të përkulur për dhe, ata u thanë: ''Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? 6Ai nuk ështe këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile, 7duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë''. 8Dhe ato kujtonin fjalët e tij. 9kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve. 10Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to. 11Por këto fjalë atyrë iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre. 12Megjithatë Pjetri u çua, vrapoi te varri, u përkul dhe nuk pa tjetër përveç çarçafëve që dergjeshin vetëm; pastaj u largua, i mrekulluar me veten e tij për sa kishte ndodhur. 13Po ate ditë, dy nga ata po shkonin drejt një fshati, me emër Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jeruzalemit. 14Dhe ata po bisedonin midis tyre për të gjitha ato që kishin ndodhur. 15Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta. 16Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin. 17Dhe ai u tha atyre: ''Ç'janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?''. 18Dhe një nga ata, i me emër Kleopa, duke u përgjigjur tha: ''Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?''. 19Dhe ai u tha atyre: ''Cilat?''. Ata i thanë: ''Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit. 20Dhe se si krerët e priftërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar. 21Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin; por, megjithkëtë, sot është e treta ditë që kur ndodhën këto gjëra. 22Por edhe disa gra në mes nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan herët në mëngjes te varri, 23dhe nuk e gjetën trupin e tij, u kthyen duke thënë se kishin parë nië vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton. 24Dhe disa nga tanët shkuan te varri dhe e gjetën ashtu si kishin treguar gratë, por atë nuk e panë''. 25Atëherë ai u tha atyre: ''O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët! 26Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?''. 27Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij. 28Kur iu afruan fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje. 29Por ata e detyruan duke thënë: ''Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron''. Edhe ai hyri që të rrijë me ta. 30Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre. 31Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre. 32Dhe ata i thanë njeri tjetrit: ''Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?''. 33Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin mbledhur bashkë me ta. 34Ata thoshnin: ''Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit''. 35Ata atëherë treguan ç'u kishte ndodhur rrugës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës. 36Dhe, ndërsa ata po bisedonin për këto gjëra, vetë Jezusi u shfaq në mes tyre dhe u tha atyre: "Paqja me ju!''. 37Por ata, të tmerruar dhe gjithë frikë, mendonin se po shihnin një frymë. 38Atëherë ai u tha atyre: ''Pse jeni shqetësuar Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime? 39Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!''. 40Dhe, si i tha këtë, u tregoj atyre duart dhe këmbët. 41Por, duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur, ai u tha atyre: ''A keni këtu diçka për të ngrënë?''. 42Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti. 43Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre. 44Pastaj u tha atyre: ''Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet''. 45Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet, 46dhe u tha atyre: ''Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë, 47dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt, duke filluar nga Jeruzalemi. 48Dhe ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave. 49Dhe ja, unë po dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim, por ju qëndroni në qytetin e Jeruzalemit deri sa të visheni me pushtet nga lart''. 50Pastaj iu priu jashtë deri në Betani dhe, si i ngriti lart duart, i bekoi. 51Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe e morën lart në qiell. 52Dhe ata, pasi e adhuruan, u kthyen në Jeruzalem me gëzim të madh. 53Dhe rrinin vazhdimisht në tempull duke lavdëruar dhe bekuar Perëndinë. Amen!