1Kur iu afruan Jeruzalemit dhe arritën në Betfage, afër malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy dishepuj, 2duke u thënë atyre: ''Shkoni në fshatin që ndodhet përballë jush; aty do të gjeni menjëherë një gomare të lidhur dhe një pulishtë me të; zgjidhini dhe m'i sillni! 3Dhe nëse dikush ju thotë gjë, i thoni se Zoti ka nevojë për to, por do t'i kthejë shpejt''. 4Tani kjo ndodhi për të përmbushur ç'ishtë thënë nga profeti, që thotë: 5''I thoni bijës së Sionit: Ja po të vjen mbreti yt, zemërbutë, hipur mbi një gomare, madje një pulishtë, pjellë e një kafshe barrë''. 6Dishepujt shkuan dhe vepruan ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi. 7Sollën gomaren dhe pulishtin, shtruan mbi to mantelet e tyre, dhe ai u hipi. 8Dhe një turmë shumë e madhe shtronte mantelet e veta gjatë rrugës, ndërsa të tjerë thyenin degë nga pemët dhe i shtronin mbi rrugë. 9Turmat që vinin përpara dhe ato që e ndiqnin brohoritnin, duke thënë: ''Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!''. 10Dhe kur hyri Jezusi në Jeruzalem, gjithë qyteti u ngrit në këmbë dhe tha: ''Kush është ky?''. 11Dhe turmat thonin: ''Ky është Jezusi, profeti nga Nazareti i Galilesë. 12Pastaj Jezusi hyri në tempullin e Perëndisë, i dëboi të gjithë ata që shisnin dhe blinin në tempull dhe përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave. 13Dhe u tha atyre: ''Éshtë shkruar: "Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutje", por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh''. 14Atëherë iu paraqitën të verbër dhe të çalë, dhe ai i shëroi. 15Por krerët e priftërinjve dhe skribët, kur panë mrekullitë që ai kishte bërë dhe fëmijët që brohoritnin në tempull duke thënë: ''Hosana Birit të Davidit!'', u zemëruan, 16dhe i thanë: ''A po dëgjon ti çfarë thonë këta?''. Jezusi u tha atyre: ''Po! A nuk keni lexuar kurrë: "Nga goja e të vegjëlve dhe të foshnjave në gji ti ke përgatitur lavdi"?''. 17Dhe, mbasi i la ata, doli nga qyteti për në Betani, dhe atje kaloi natën. 18Në mëngjes, kur po kthehej në qytet e mori uria. 19Dhe gjatë rrugës pa një fik dhe iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve; dhe i tha: ''Mos u lidhtë më kurrë fryt prej teje përjetë!''. Dhe fiku u tha menjëherë. 20Kur e panë këtë, dishepujt u çuditën dhe thanë: ''Qysh u tha fiku në çast?''. 21Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: ''Në të vërtetë ju them që, po të keni besim dhe të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që unë i bëra fikut, por, edhe sikur t'i thoni këtij mali: "Hiqu andej dhe hidhu në det", kjo do të ndodhë. 22Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni''. 23Kur hyri në tempull, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit iu afruan, ndërsa i mësonte, dhe i thanë: ''Me ç'pushtet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?''. 24Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Edhe unë do t'ju bëj një pyetje, dhe në qoftë se ju do të më përgjigjeshit, unë gjithashtu do t'ju them me ç'pushtet i kryej këto gjëra. 25Pagëzimi i Gjonit nga erdhi? Nga qielli apo nga njerëzit?''. Dhe ata arsyetonin midis tyre duke thënë: ''Po t'i themi nga qielli, do të na thotë: "Përse atëhërë nuk i besuat?". 26Në qoftë se i themi nga njerëzit, kemi frikë nga turma, sepse të gjithë e konsiderojnë Gjonin profet''. 27Dhe iu përgjigjën Jezusit duke thënë: ''Nuk e dimë''. Atëhërë ai u tha atyre: ''As unë nuk do t'ju them me ç'pushtet i bëj këto gjëra". 28''Ç'mendoni? Një njeri kishte dy bij dhe duke iu drejtuar të parit tha: "Bir, shko sot të punosh në vreshtin tim"; 29por ai u përgjigj dhe tha: "Nuk dua"; por më vonë, i penduar, shkoi. 30Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: "Po, imzot, do ta bëj", por nuk shkoi. 31Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?''. Ata i thanë: ''I pari''. Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë ju them se tagrambledhësit dhe prostitutat hyjnë para jush në mbretërinë e qiejve. 32Sepse Gjoni erdhi tek ju në rrugën e drejtësisë, dhe iu nuk i besuat, ndërsa tagrambledhësit dhe prostitutat i besuan; as mbasi i keni parë këto gjëra, nuk u penduat për t'i besuar''. 33''Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: Ishte një pronar shtëpie, i cili mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, gërmoi një vend ku të shtrydhte rrushin, ndërtoi një kullë dhe, mbasi ua besoi disa vreshtarëve, u nis në një vend të huaj. 34Dhe kur erdhi koha e të vjelave, ai dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët, për të marrë frutat e tij, 35por vreshtarët i kapën shërbëtorët e tij, njërin e rrahën, një tjetër e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë. 36Përsëri, ai dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, dhe këta vreshtarët i trajtuan në të njëjtën mënyrë. 37Më në fund ai i dërgoi atyre birin e vet duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt!". 38Por vreshtarët, kur e panë të birin, i thanë njeri tjetrit: "Ky është trashëgimtari; ejani, ta vrasim dhe marrim si pronë trashëgiminë e tij". 39Dhe e kapën, e nxorën jashtë nga vreshti dhe e vranë. 40Tani, kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t'u bëjë këtyre vreshtarëve?''. 41Ata i thanë: ''Ai do t'i vrasë keqas ata faqezinj dhe do t'ua besojë vreshtin vreshtarëve të tjerë, të cilët do t'i japin prodhimet në kohën e vet''. 42Jezusi u tha atyre: ''A nuk keni lexuar kurrë në Shkrimet: "Guri, që ndërtuesit e nxorën të papërdorshëm, u bë guri i qoshes. Kjo është vepër e Zotit, dhe është e mrekullueshme në sytë tonë"? 43Prandaj unë po ju them se juve do t'ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t'i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt. 44Dhe ai që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copëcopë; dhe ai mbi të cilin do të bjerë ai do të jetë i thërrmuar''. 45Dhe krerët e priftërinjve dhe farisenjtë, kur i dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, e kuptuan se po fliste për ta. 46Dhe kërkonin ta kapnin, por kishin frikë nga turmat, sepse ato e konsideronin profet.