1Dhe ndodhi që, mbasi Jezusi i mbaroi të gjitha këto fjalime, u tha dishepujve të vet: 2''Ju e dini se pas dy ditësh janë Pashkët dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t'u kryqëzuar''. 3Atëherë krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë e popullit u mblodhën në pallatin e kryepriftit që quhej Kajafa. 4Edhe bënin këshillë për ta zënë Jezusin me dredhi dhe ta vrasin; 5por thonin: ''Jo gjatë festës, që të mos bëhet ndonjë trazirë në popull''. 6Tani, kur Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e lebrozit Simon, 7iu afrua një grua me një alabastër me vaj të parfumuar shumë të kushtueshëm, dhe ia derdhi mbi kokën e tij, kur ai po rrinte në tryezë. 8Kur e panë këtë gjë, dishepujt e tij u zemëruan dhe thanë: ''Përse gjithë ky shpenzim i kotë? 9Ky vaj, në fakt, mund të shitej shumë shtrenjtë dhe paratë t'u jepeshin të varfërve''. 10Por Jezusi e mori vesh dhe u tha atyre: ''Pse e shqetësoni këtë grua? Ajo kreu në fakt një vepër të mirë ndaj meje. 11Sepse të varfërit do t'i keni përherë me ju, por mua nuk do të më keni përherë. 12Sepse, duke derdhur këtë vaj të parfumuar mbi trupin tim, ajo e bëri për ta përgatitur trupin tim për varrim. 13Në të vërtetë unë po ju them se kudo që do të predikohet ky ungjill, në gjithë botën, do të tregohet edhe çfarë bëri kjo grua, në përkujtim të saj''. 14Atëherë një nga të dymbëdhjetët, me emër Judë Iskarioti, shkoi te krerët e priftërinjëve, 15dhe u tha atyre: ''Sa do të më jepni që unë t'jua dorëzoj?''. Dhe ata i numëruan tridhjetë sikla argjendi. 16Dhe qysh atëherë ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar. 17Tani ditën e parë të ndormëve, dishepujt iu afruan Jezusit dhe i thanë: ''Ku don të shtrojmë për të ngrënë Pashkën?''. 18Dhe ai u përgjigj: ''Shkoni në qytet te filani dhe i thoni: "Mësuesi thotë: Koha ime është afër; do të bëj Pashkën në shtëpinë tënde bashkë me dishepujt e mi"''. 19Atëherë dishepujt bënë ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi dhe përgatitën Pashkën. 20Dhe, kur u ngrys, ai u ul në tryezë bashkë me të dymbëdhjetët; 21dhe, ndërsa po hanin, tha: ''Në të vërtetë unë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë''. 22Ata u pikëlluan shumë dhe secili prej tyrefilloi të thotë: ''Mos jam unë; Zot?''. 23Dhe ai duke u përgjigjur, tha: ''Ai që ka ngjyer bashkë me mua dorën në çanak, ai do të më tradhtojë. 24Sikurse është shkruar për të, Biri i njeriut pa tjetër shkon; por mjerë ai njeri me anë të të cilit Biri i njeriut tradhtohet! Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur kurrë''. 25Dhe Juda, ai që do ta tradhtonte, e pyeti dhe tha: ''Rabbi, mos jam unë ai?''. Ai i tha: ''Ti po thua!''. 26Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: ''Merrni, hani; ky është trupi im''. 27Pastaj mori kupën, dhe falenderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: ''Pini prej tij të gjithë, 28sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve. 29Dhe unë po ju them, se që tani e tutje unë nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri në atë ditë kur, bashkë me ju, do ta pi të re në mbretërinë e Atit tim''. 30Dhe, mbasi kënduan himnin, dolën jashtë te mali i Ullinjve. 31Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Këtë natë të gjithë ju do të skandalizoheni për shkakun tim, sepse është shkruar: "Do të godas bariun dhe delet e kopesë do të shpërndahen". 32Por, mbasi të jem ngjallur, do të shkoj përpara jush në Galile''. 33Atëherë Pjetri duke u përgjigjur i tha: ''Edhe sikur të gjithë të skandalizohen për shkakun tënd, unë nuk do të skandalizohem kurrë!''. 34Jezusi i tha: ''Në të vërtetë po të them se pikërisht këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë''. 35Pjetri i tha: ''Edhe sikur të duhej të vdisja bashkë me ty, nuk do të të mohoj kurrsesi''. Po atë thanë edhe të gjithë dishepujt. 36Atëherë Jezusi shkoi bashkë me ta në një vend, që quhej Gjetsemani, dhe u tha dishepujve: ''Uluni këtu, ndërsa unë po shkoi aty të lutem''. 37Dhe mori me vete Pjetrin dhe të dy djemtë e Zebedeut, dhe filloi të ndjeje trishtim dhe ankth të madh. 38Atëherë ai u tha atyre: ''Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua''. 39Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: ''Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti''. 40Pastaj u kthye te dishepujt dhe i gjeti që flinin, dhe i tha Pjetrit: ''Po si, nuk mundët të vigjëloni me mua të paktën për një orë? 41Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim; sepse fryma është gati, por mishi është i dobët''. 42U largua përsëri për herë të dytë dhe u lut duke thënë: ''Ati im, në qoftë se nuk është e mundur që kjo kupë të largohet prej meje pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!''. 43Pastaj u kthye dhe i gjeti përsëri që flinin, sepse sytë u ishin rënduar. 44Dhe, mbasi i la ata, u largua përsëri dhe u lut për të tretën herë, duke thënë të njëjtat fjalë. 45Pastaj u kthye te dishepujt e vet dhe u tha atyre: ''Tani vazhdoni të flini dhe pushoni; ja erdhi ora, dhe Biri i njeriut do të bjerë në duart e mëkatarëve. 46Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhëton është afër''. 47Dhe ndërsa ai ende po fliste, ja Juda, një nga të dymbëdhjetët, erdhi, dhe bashkë me të një turmë e madhe me shpata dhe me shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve dhe nga pleqtë e popullit. 48Tani ai që e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë, duke thënë: ''Atë që unë do të puth, ai është; kapeni''. 49Dhe menjëherë iu afrua Jezusit dhe i tha: ''Tungjatjeta, Mësues!''. Dhe e puthi përzemërsisht. 50Dhe Jezusi i tha: ''Mik, çfarë ke ardhur të bësh?''. Atëherë ata iu afruan, vunë duart mbi Jezusin dhe e zunë. 51Dhe ja, një nga ata që ishte me Jezusin, zgjati dorën, nxori shpatën e vet, iu hodh shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin. 52Atëherë Jezusi i tha: ''Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin. 53A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t'i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? 54Po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?''. 55Në atë moment Jezusi u tha turmave: ''Ju dolët të më zini mua me shpata dhe me shkopinj, si kundër një kusar; e pra, çdo ditë isha ulur midis jush duke mësuar në tempull, dhe ju nuk më kapët. 56Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen Shkrimet e profetëve''. Atëherë të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën. 57Dhe ata që e kishin arrestuar Jezusin e çuan te Kajafa, kryeprifti, ku tashmë ishin mbledhur skribët dhe pleqtë. 58Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri në pallatin e kryepriftit, dhe, mbasi hyri aty, u ul bashkë me rojet për të parë fundin. 59Tani krerët e priftërinjve, pleqtë dhe gjithë sinedri kërkonin ndonjë dëshmi të rreme kundër Jezusit, për ta vrarë, 60por nuk gjetën asnjë; ndonëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë, nuk e gjetën. Por në fund u paraqitën dy dëshmitarë të rremë, 61të cilët thanë: ''Ky ka thënë: "Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë dhe ta rindërtoj për tri ditë"''. 62Atëherë kryeprifti u çua dhe i tha: ''Nuk po përgjigjesh fare për çka po dëshmojnë këta kundër teje?''. 63Por Jezusi rrinte në heshtje. Dhe kryeprifti vazhdoi duke thënë: ''Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë''. 64Jezusi i tha: ''Ti po thua! Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndënjur në të djathtën e Pushtetit, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit''. 65Atëherë kryeprifti ia shqeu rrobat e veta, duke thënë: ''Ai blasfemoi; ç'na duhen më dëshmitarët? Ja, tani e dëgjuat blasfeminë e tij. 66Si ju duket juve?''. Dhe ata, duke u përgjigjur, thanë: ''Ai është fajtor për vdekje!''. 67Atëherë e pështynë në fytyrë, e goditën me shuplaka; dhe disa të tjerë i ranë me grushta, 68duke thënë: ''O Krisht, profetizo! Kush të ra?''. 69Tani Pjetri ndënji përjashta, në oborr dhe një shërbëtore iu afrua duke thënë: ''Edhe ti ishe me Jezusin, Galileasin''. 70Por ai e mohoi përpara të gjithëve, duke thënë: ''Nuk di ç'po thua!''. 71Dhe kur ai po dilte në hajat, e pa atë një shërbëtore tjetër dhe u tha të pranishmëve: ''Edhe ky ishte me Jezusin, Nazareasin!''. 72Por ai përsëri e mohoi me be, duke thënë: ''Unë nuk e njoh atë njeri''. 73Mbas pak edhe të pranishmit iu afruan dhe i thanë Pjetrit: ''Sigurisht, edhe ti je një nga ata, sepse e folura jote të tradhton!''. 74Atëherë ai nisi të mallkojë dhe të bëjë be, duke thënë: ''Unë nuk e njoh atë njeri''. Dhe në atë çast këndoi gjeli. 75Atëherë Pjetri kujtoi atë që i kishte thënë Jezusi: ''Para se të këndojë gjeli, do të më mohosh tri herë''. Dhe ai doli përjashta dhe qau me hidhërim.