1Ndërkaq u ngrit një ankesë e madhe prej popullit dhe bashkëshorteve të tyre kundër Judejve, vëllezërve të tyre. 2Disa thonin: "Ne, bijtë tanë dhe bijat tona jemi shumë; prandaj të gjejmë grurë që të mund të hamë dhe të jetojmë!". 3Të tjerë thonin: "Kemi hipotekuar arat tona, vreshtat tona dhe shtëpitë tona për të blerë grurë gjatë zisë!". 4Disa të tjerë akoma thonin: "Kemi marrë para hua për të paguar haraçin e mbretit mbi arat tona dhe vreshtat tona. 5Ndonëse mishi ynë është si mishi i vëllezërve tanë dhe bijtë tanë janë si bijtë e tyre, në realitet jemi të detyruar t'i kthejmë në skllevër bijtë tanë dhe bijat tona; disa nga bijat tona janë katandisur që tani në skllavëri dhe nuk kemi asnjë mundësi t'i shpengojmë, sepse arat tona dhe vreshtat tona janë në dorë të të tjerëve". 6Kur dëgjova ankimet e tyre dhe këto fjalë, u indinjova shumë. 7Mbasi u mendova mirë për këtë gjë, qortova parinë dhe gjyqtarët dhe u thashë atyre: "Secili prej jush kërkon një kamatë prej fajdexhiu nga vëllai i vet". Kështu mblodha kundër tyre një asamble të madhe 8dhe u thashë: "Simbas mundësive tona ne kemi shpenguar vëllezërit tanë Judej që u ishin shitur kombeve; por tani a do t'i shisnit vëllezërit tuaj, apo duhet që ata të na shiten neve?". Atëherë ata heshtën me qenë se nuk gjenin fjalë për të thënë. 9Dhe unë shtova: "Ajo që po bëni nuk është e mirë. A nuk duhet përkundrazi të ecni duke pasur frikë nga Perëndia ynë për të shmangur dëmin nga kombet që i kemi armiq? 10Edhe unë, vëllezërit e mi dhe shërbëtorët e mi u kemi dhënë hua para dhe grurë. Ju lutem, të mos kërkojmë më kamatë për këtë! 11Ua ktheni që sot arat e tyre, vreshtat e tyre, ullishtat e tyre dhe shtëpitë e tyre, dhe të njëqindtën pjesë të parave, të grurit, të verës dhe të vajit që u keni kërkuar". 12Ata u përgjigjën: "Do t'i kthejmë dhe nuk do të kërkojmë më asgjë prej tyre; do të veprojmë ashtu si thua ti". Atëherë thirra priftërinjtë dhe i vura të betohen përpara atyre se do të vepronin sipas këtij premtimi. 13Shkunda pastaj palën e rrobave të mia dhe thashë: "Kështu Perëndia ta shkundë nga shtëpia e tij dhe nga pasuria e tij cilindo që nuk do ta mbajë këtë premtim! Kështu të shkundet dhe të zbrazet ai nga të gjitha!". Atëherë tërë asambleja tha: "Amen!", dhe lavdëruan Zotin. Populli veproi sipas atij premtimi. 14Përveç kësaj qysh prej ditës që u caktova të jem qeveritar i tyre në vendin e Judës, nga viti i njëzetë deri në vitin e tridhjetedytë të mbretit Artakserks, gjatë dymbëdhjetë vjetëve, unë dhe vëllezërit 15Ndërsa qeveritarët e mëparshëm që më kishin paraprirë e kishin rënduar popullin duke marrë bukë dhe verë, dhe përveç kësaj dyzet sikla argjendi. Madje edhe shërbëtorët e tyre silleshin si zotër me popullin, por unë nuk veprova kështu, sepse kisha frikë nga Perëndia. 16Përkundrazi i hyra me të madhe punës së riparimit të këtyre mureve dhe nuk kemi bërë asnjë blerje toke; përveç kësaj tërë shërbëtorët e mi u mblodhën atje për të punuar. 17Kisha gjithashtu në mencën time njëqind e pesëdhjetë Judej dhe zyrtarë, përveç atyre që vinin nga kombet fqinje. 18Çdo ditë përgatitej një ka dhe gjashtë krerë të zgjedhur që merreshin nga kopeja; për mua gatuheshin edhe zogj, dhe çdo dhjetë ditë bëhej furnizimi me lloj lloj vere me shumicë; por me gjithë këtë, nuk e kam kërkuar kurë kuotën e qeveritarit, sepse mbi këtë popull rëndonte tashmë shërbimi. 19Më kujto, o Perëndia im, për tërë të mirat që i kam bërë këtij populli.