1Më mbro, o Perëndi, sepse unë po kërkoj strehë te ti. 2I thashë Zotit: "Ti je Zoti im; nuk kam asnjë të mirë veç teje". 3Gjithë dashuria ime është vendosur te njerëzit e shenjtë dhe të nderuar që janë mbi tokë. 4Dhembjet e atyre që turren pas perëndive të tjera do të shumëzohen; unë nuk do t'i derdh libacionet e tyre të gjakut dhe nuk do të shqiptoj me buzët e mia emrat e tyre. 5Zoti është pjesa ime nga trashëgimia dhe kupa ime; ti, o Zot, ruaje fort atë që më ka rënë në short. 6Mua fati më ka rënë në vende të këndshme; po, një trashëgimi e bukur më ka rënë. 7Unë do të bekoj Zotin që më këshillon; zemra ime më mëson edhe natën. 8Unë e kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi. 9Prandaj zemra ime gëzohet dhe shpirti im ngazëllon për lavdinë e trashëgimisë sime; edhe mishi im do të qëndrojë tërë besim dhe në siguri, 10sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë korruptimin. 11Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.