1Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota? 2Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij, 3duke thënë: "Le t'i këputim prangat e tyre dhe t'i heqim qafe litarët e tyre". 4Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta. 5Atëherë do t'u flasë në zemërimin e tij dhe do t'i trembë në indinjatën e tij të madhe, 6dhe do të thotë: "E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë. 7Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: "Ti je biri im, sot më linde. 8Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin. 9Ti do t'i copëtosh me një shufër hekuri, do t'i bësh copë-copë si një enë prej argjile"". 10Tani, pra, o mbretër, tregohuni të urtë; pranoni ndreqjen, o gjyqtarë të dheut. 11Shërbeni me frikë Zotin dhe gëzohuni me drithma. 12Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast. Lum ata që gjejnë strehë tek ai.