1Zëri im lartohet te Perëndia dhe unë bërtas; zëri im lartohet te Perëndia dhe ai ka për të më dëgjuar. 2Ditën e fatkeqësisë sime kërkova Zotin; gjatë natës dora ime mbeti e nderur pa u lodhur dhe shpirti im nuk pranoi të ngushëllohet. 3Më kujtohet Perëndia dhe rrënkoj; vajtoj dhe fryma ime dobësohet. (Sela) 4Ti m'i mban të hapura qepallat; jam aq i turbulluar sa nuk mund të flas. 5Sjell ndërmënd përsëri ditët e lashta, vitet e kohëve të shkuara. 6Gjatë natës më kthehet në mendje kënga ime, mendoj thellë në zemrën time dhe fryma ime bën kërkime. 7A do të më hedhë poshtë për gjithnjë Zoti? E nuk do të më pëlqejë më kurrë? 8Dhe mirësia e tij ka marrë fund për gjithnjë dhe falja e tij ka munguar për brezat e ardhshme? 9Vallë Perëndia e ka harruar mëshirën dhe në zemërimin e tij u ka dhënë fund dhembshurive të tij? (Sela) 10Unë kam thënë: "Shkaku i hidhërimit tim është se dora e djathtë e Shumë të Lartit ka ndryshuar". 11Do t'i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara, 12do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua. 13O Perëndi, jeta jote është e shenjtë; cili Perëndi është i madh si Perëndia? 14Ti je Perëndia që kryen mrekulli; ti ke bërë të njihet forca jote midis popujve. 15Me krahun tënd ke shpenguar popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (Sela) 16Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u trëmbën; edhe humnerat u drithtuan. 17Retë derdhën përmbytje uji, qiejtë gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan. 18Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh. 19Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën. 20Ti e udhëheq popullin tënd si një kope me dorën e Moisiut dhe të Aaronit.