1O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. 2Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë. 3Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit. 4Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët nuk kanë të njëjtën funksion, 5kështu edhe ne, megjithse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe secili jemi gjymtyrë të njeri tjetrit. 6Dhe tani, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha, nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit; 7nëse kemi shërbim, le t'i kushtohemi shërbimit; po kështu mësuesi të jepet pas mësimit; 8dhe ai që nxit, le t'i kushtohet nxitjes; ai që ndan, le ta bëjë me thjeshtësi; ai që kryeson le të kryesojë me zell; ai që bën vepra mëshirë, le t'i bëjë me gëzim. 9Dashuria le të mos jetë me hipokrizi; urreni të keqen dhe ngjituni pas së mirës. 10Duani njeri tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njeri me tjetrin. 11Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shërbeni Perëndisë, 12të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje; 13ndihmoni për nevojat e shenjtorëve, jini mikpritës. 14Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni dhe mos mallkoni. 15Gëzohuni me ata që gëzohen, dhe qani me ata që qajnë. 16Kini të njëjtat mendime njeri me tjetrin; mos lakmoni për lart, por rrini me të përunjurit; mos e mbani veten për të mënçur. 17Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve. 18Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit. 19Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: ''Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti''. 20''Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur''. 21Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.